image Ëndrra për kualifikim në 'Euro 2024' merr fund, Kosova kthehet duarthatë nga Bukureshti

Futboll

Ëndrra për kualifikim në ‘Euro 2024’ merr fund, Kosova kthehet duarthatë nga Bukureshti

news image

Futbollistët e Kosovës janë larguar duarthatë nga “Arena Nationala” në Bukuresht të Rumanisë. Rumania ka dyfishuar epërsinë në ndeshjen me Kosovën, kështu duke vulosur fitoren.

Mihalia shënoi për 2:0, në minutat shtesë të ndeshjes. Ky rezultat vjen pas golit të epërsisë të cilin e shënoi me shumë precizitet rumuni Nicolae Stanciu, në minutën e 83-të.

Ndeshja në fjalë u përshkrua me incidente të krijuara nga tifozët vendase, për çka edhe pati ndërprerje të ndeshjes.

Ndeshja u ndërpre pas 17 minutave lojë, pasi tifozët rumunë shfaqen mesazh nacionalist dhe skandaloz, ku thuhej “Kosova është Serbi”. Nga ana e tyre nuk u ndalën as brohoritjet e tilla.

Kësisoj, gjyqtari kryesor i ndeshjes Willy Delajod vendosi për ta ndërprerë ndeshjen dhe urdhëroi ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Pauza zgjati për afro 50 minuta dhe më pastaj rinisi, me kushtin që mesazhe dhe brohoritje të tilla mos të ketë më.

Pjesa e parë u mbyll baras dhe pa gola, por Kosova mbeti me një futbollist më pak në minutën e 42-të, pasi Vedat Muriqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.

Ndeshja në pjesën e dytë u kontrollua nga rumunët, të cilët shfrytëzuan epërsinë numerike në fushë.

Rumania pati rast të artë për të kaluar në epërsi në minutën e 61-të, por Aro Muric tregoi sërish aftësitë e tij dhe priti penalltinë e ekzekutuar nga Nicolae Stanciu.

Vendasit e gjeten golin në vazhdim përmes Stanciut, i cili shënoi në minutën e 83-të.

“Dardanët” provuan më pas përmes Loshajt, Dresevicit e Muslijës, por pa sukses.

Rumania goditjen e fundit ia dha Kosovës në minutën e tretë shtesë (90+3’), me golin e shënuar nga Valentin Mihaila.

Me këtë humbje, Kosova ka humbur edhe shpresat për një kualifikim të mundshëm në Euro 2024.

Kjo përballje ishte pjesë e ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024. Kosova është pjesë e Grupit I, ku aktualisht mban pozitën e parafundit në grup, me 4 pikë, dy më shumë se Andorra.

Tabelën e kryeson kombëtarja e Zvicrës.

/GazetaSinjali/