image Ende nuk dihet sa do të rritet paga minimale në Maqedoninë e Veriut

Rajon

Ende nuk dihet sa do të rritet paga minimale në Maqedoninë e Veriut

news image

Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut nuk zbulon nëse ka bërë përllogaritje se sa mjete do të grumbullohen nga tatimi personal me masën e re për subvencionimin e kontributeve dhe nëse kjo shumë do ta kalojë shifrën e 40 milionë eurove të parapara. Si rezultat, mbetet e paqartë nëse kjo masë do të sjellë ndonjë dobi.

“Çdo subvencionim apo mbështetje e kompanive që janë regjistruar dhe punojnë në mënyrë legale është e mirë dhe për t’u përshëndetur, por se a do të japë kjo efekt, nuk besoj që do të japë dhe sërish nuk besojmë që do t’i prekë ata që punojnë në zonën gri, sepse që të ketë efekt për ta, fillimisht duhet të hyjnë si të regjistruar gjegjësisht të futen në sistem, e më tej të mund të japin paga apo t’i rritin pagat”, deklaroi Danella Arsovska kryetare e LOE.

Rritja e pagës minimale tashmë është vendosur për në tetor të këtij viti, por sa do të jetë nuk dihet.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi së pari njoftoi se do të arrijë në 15.500 denarë, por më vonë e hodhi poshtë një gjë të tillë. Megjithatë, asnjë ministri, si ajo e Financave, ashtu edhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale nuk kanë treguar se sa do të jetë rritja.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se çdo rritje artificiale e pagës minimale do të ndikojë negativisht në sektorin privat.

“Rritja artificiale e pagave e minimale në këtë rast shkakton mjaftë ndikime, posaçërisht në atë se është e nevojshme të dihet se në vite të këtilla turbulente që i kishte biznesi i cili është lëvizës i ekonomisë në Maqedoni, duhet të kihet shumë kujdes, duke pasur parasysh se produktiviteti në sektorin privat nuk është rritur, ndërsa çdoherë atje ku nuk është rritur produktiviteti, nuk duhet të presim të ketë paga më të larta ose fitime- tha Danela Arsovska, kryetare e LOE.

Disa ekonomistë, pasi ende nuk i kanë parë detajet e masave të fundit të Qeverisë, nuk donin të komentonin para kamerave.

Megjithatë, thonë se është e mundur që shteti t’i paguajë kontributet për paratë e paguara në zarf, ta përmbush premtimin për një pagë mesatare prej 30,000 denarësh. Matematika është për shkak se aktualisht paga mesatare është 24.700 denarë, dhe nëse punëdhënësi vendos të rrisë pagën me 6.000 denarë sepse në tre vitet e ardhshme do të lirohej nga pagesa e kontributeve, paga mesatare do të arrinte në 30,000 denarë.

Sidoqoftë, këto dy vendime të Qeverisë kanë edhe rreziqe dhe është e mundshme ulje e pagave në periudhën e ardhshme, derisa këto masa të hyjnë në fuqi, si dhe përsëri të privilegjojnë punëdhënësit të cilët nuk kanë paguar tatime dhe të ndikojnë negativisht në industrinë e tekstilit dhe lëkurës./alsat/