image Ende nuk dihet emri i shefit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës

Politikë

Ende nuk dihet emri i shefit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës

news image

Kanë kaluar më shumë se një muaj kur është liruar nga pozita shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, por ende nuk është vendosur për shefin e ri të këtij institucioni të sigurisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Këshilltari për media i ushtrueses së detyrës së Presidentes, Bekim Kupina tha për Gazetën Sinjali se Presidentja Osmani ka propozuar një emër për shef të AKI-së, por emrin nuk mund ta bëjnë publik.

“U.d. Presidentja Osmani e ka propozuar një emër për shef të AKI-së. Meqë ky proces duhet të mbetet tërësisht konfidencial nuk mund ta bëjmë publik emrin tash për tash. Presim nga Kryeministri që edhe ai të pajtohet me propozimin tonë”, tha Kupina.

Ndërkohë për këtë çështje ka folur edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Ai tha se është në  konsultime me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanin.

“Është në proces të konsultimeve të brendshme me ushtruesen e detyrës derisa të arrijmë një dakordim për shefin e AKI’së”, potencoi Hoti.

Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, në bazë të nenit 5 të këtij ligji, Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI-së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Ish-shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi, u lirua nga detyra me 17 dhjetor të vitit të kaluar me kërkesë të kryeministrit Hoti. /Gazeta Sinjali/