Emisari i Francës për Ballkanin, Rene Troccaz, ka fshirë nga llogaria e tij në “X”, postimin ku përdorte termin “Kosovë e Metohi”.
Gjithçka ndodhi pas një takimi me të ashtuquajturin drejtor për zyrën “për Kosovën” Petar Petkoviq.
Troccaz i është referuar Kosovës njëjtë si Serbia, duke e quajtur Petkoviqin “drejtor të zyrës për Kosovë e Metohi”.
Nuk dihet nëse një gjë e tillë është bërë qëllimshëm.
“Takimi shumë i dobishëm dhe interesant në Beograd me Petar Petkovic, drejtorin e zyrës për “Kosova Metohia”. Franca mbështet dialogun e lehtësuar nga BE, plus marrëveshjen Bruksel-Ohër. Faleminderit për pritjen e ngrohtë.” – thuhej në postimin që tashmë është fshirë.
Ndërkohë, pasi e fshiu termin që e përdor Serbia, Troccaz ka postuar një shkrim të ri rreth takimit, ku shkruan:
“Faleminderit Petar Petkoviq për pritjen e ngrohtë. Takim shumë i dobishëm në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilin Franca e përkrah.” – ka shkruar ai.
Ndryshe, Troccaz ka thënë dje se Kosova dhe Serbia nuk po bëjnë shumë për të normalizuar marrëdhëniet.
I pyetur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Troccaz theksoi se Franca është sponsorisuese e marrëveshjes së fundit mes dy palëve, por që të dyja palët nuk po bëjnë shumë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, marrëveshjes së Brukselit që ishte e vitit të kaluar.
“Duhet të normalizojmë situatën, ne punojmë me të dyja palët për të lehtësuar dialogun. Pikërisht për këtë Bashkimi Evropian ka të ashtuquajturën marrëveshje Bruksel-Ohër, e cila është një kornizë në të cilën dy palë, me ndihmën e BE-së, diskutojnë për tejkalimin e vështirësive”.
“Ne e dimë se cilat janë këto vështirësi. Prandaj, ajo që ne bëjmë thirrje është që të dyja palët të përmbahen nga çdo masë e dëmshme e njëanshme” tha Troccaz, në Forumin e Sigurisë që u mbajt dje në Beograd.