Gazeta Sinjali sot raportoi se Emin Beqiri, tanimë ish-drejtor i policisë për pajonin e Ferizajt është degraduar në pozitë, duke u emëruar tani këshilltar i lartë në drejtorinë dajonale të policisë në Prizren.
Ky vendim erdhi më pak se dy vjet pasi një ankesë e Emin Beqirit, rezultoi me dënimin e Lëvizjes Vetëvendosje me 9 mijë e 500 euro gjobë.
Beqiri, është degarduar në pozitë dy javë pas ardhjes së dytë në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën ishte përfshirë në një kontest gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019.
Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) e kishte gjobitur me 9 mijë e 500 euro Lëvizjen Vetëvendosje në tetor të vitit 2019, bazuar në një ankesë të parashtruar nga Beqiri për përdhosje të imazhit të tij.
Në ankesën e parashtruar më 5 tetor të 2019-s, Beqiri kishte kërkuar nga PZAP-ja që ta sanksiononte Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të përdorimit të një spoti zgjedhor me përfshirjen e tij dhe të objektit publik të Policisë së Kosovës në “aktivitetin promovues zgjedhor”.
“PRANOHET e bazuar ankesa Anr.233/2019 e datës 05.10.2019, e paraqitur nga Emin Beqiri nga Komuna e Lipjanit, subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, i SHQIPOHET gjobë, në lartësi prej 9,500.00 (nëntëmijë e pesëqind) euro”, thuhej në vendimin e PZAP-së, të nxjerrë më 6 tetor të 2019-s.
Ndërkaq, degradimi në pozitë i Emin Beqirit nuk është konfirmuar ende nga institucionet shtetërore. As nga Policia e Kosovës dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila aktualisht udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Komandanti i Ferizajt, para se ta merrte këtë pozitë ka qenë shef i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Në vitin 2018, Beqiri ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës, pendim të provave dhe moslajmërim të veprës penale. Në gjykatë, ai ishte deklaruar i pafajshëm. Për këto akuza ishte liruar nga Gjykata e Apelit më 2018. /Gazeta Sinjali/