Elton John, në mes lotëve, është detyruar të ndërpresë një koncert në Zelandën e Re pasi u ndje keq, për shkak të pneumonisë. Muzikanti 72 vjeçar, humbi zërin në mes të koncertit që po mbahej në stadiumin e Oklandit, Mount smart, të dielen.
“Kam humbur tërësisht zërin tim. Nuk mund të këndoj. Duhet të shkoj, më vjen keq”, tha John para adhuruesve të muzikës së tij, që kishin ardhur për ta dëgjuar koncertin e tij.
Elton Jhon u duk se shpërtheu në lot kur në një moment u përkul mbi piano dhe tundi kokën.
Audienca e shoqëroi këngëtarin me ovacione ndërsa ai dilte nga skena, i ndihmuar nga disa asistentë. Më herët ai i kishte thënë publikut në stadiumin e mbushur plot, se ishte diagnostikuar me pneumoni.
Koncerti ishte i pari në Zelandën e re, në kuadër të turit të lamtumirës të Elton John.
John duket se është prekur nga një pneumoni jo e zakonshme, një lloj infeksioni në mushkëri i shkaktuar nga baktere apo viruse./Gazeta Sinjali/