image KQZ sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

Politikë

KQZ sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

news image

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka sqaruar mënyrën e publikimit të rezultateve zgjedhore, duke theksuar se procesi i shfaqjes së tyre është dinamik dhe përditësohet në kohë reale me numërimin e çdo kutie votimi.

Sipas tij, diferencat mes subjekteve politike për mandatet e fundit janë shpesh shumë të vogla, çka bën që edhe disa dhjetëra apo qindra vota të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e koeficientëve dhe në ndarjen përfundimtare të mandateve.

Elezi ka shpjeguar se në disa raste një subjekt politik mund të arrijë përkohësisht koeficientin e nevojshëm për të fituar mandat, i cili më pas mund të ndryshojë me përfshirjen e kutive të reja të votimit.

“Mund të ndodh që në një moment të caktuar të procesimit të rezultateve, subjekti të arrijë koeficientin e nevojshëm dhe mandati shfaqet në rezultatet e publikuara. Mirëpo, me përfshirjen e rezultateve nga kuti të tjera votimi, raporti i koeficientëve mund të ndryshojë dhe përparësia e mëparshme të humbasë, duke bërë që mandati të kalojë te një subjekt tjetër politik”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka theksuar se kjo është një rrjedhë normale e procesit zgjedhor, pasi rezultatet përditësohen vazhdimisht dhe çdo kuti e numëruar mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

Sipas rezultateve të deritanishme të përgjithshme, Vetëvendosje ka 45.48 për qind të votave, duke mbetur forca më e madhe politike në vend.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.11 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.14 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë pak më pak se 7 për qind të votave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/