image Ekzekutoi ish-gruan dhe kunatin, Fatmir Kolecaj shtiu 10 herë drejt policëve, u vetëvra në tualetin e shtëpisë

Botë

Detaje/ Ekzekutoi ish-gruan dhe kunatin, Fatmir Kolecaj shtiu 10 herë drejt policëve, u vetëvra në tualetin e shtëpisë

news image

Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Zejmen të Lezhës, ku i dha fund jetës duke u vetëvrarë Fatmir Kolecaj, dy ditë pasi ekzekutoi me armë zjarri ish-gruan dhe vëllain e saj në Kodër Rrëshen të Mirditës.

Sipas burimeve para se 47-vjeçari të vetëvritej, ka qëlluar mbi 10 herë nga ballkoni i shtëpisë në drejtim të policisë të cilët e kishin rrethuar, duke i bërë thirrje që të dorëzohej.

Pasi hapi zjarr ndaj uniformave blu, duke lënë të plagosur një efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, 47-vjeçari ka hyrë brenda shtëpisë dhe ka qëlluar veten në tualetin e banesës.

Nga kontrolli në banese janë sekuestruar një armë zjarri dhe dy granata, ndërsa dyshimet janë se pikërisht me armën që u vetëvra Fatmir Kolecaj të ketë kryer edhe krimin makabër në Kodër Rrëshen të Mirditës.

Ndërkohë sipas burimeve Fatmir Kolecaj u pikas nga policia, duke lëvizur në këmbë përgjatë malit dhe më pas ka hyrë në banesën e tij.

Për arrestimin e tij në ndihmë të policisë së Lezhës ishin dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato RENEA, ndërsa u krijua një perimetër sigurie për shkak se zona ku ndodhi përplasja me policinë është shumë e populluar.

Fatmir Kolecaj qëndroi afërsisht 48 orë në arrati, pasi ekzekutoi me armë zjarri ish-gruan Violeta Filopati dhe vëllain e saj, Vledison Filopati.