Një zyrtar i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Kaçanikut është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia e Kosovës, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Rufat Muqa (45 vjeç), zyrtar përgjegjës për lëshimin e lejeve ndërtimore në Komunën e Kaçanikut.
Sipas dosjes hetimore, rasti ka nisur pas ankesës së qytetarit M. L. (46-vjeç), i cili ka pretenduar se gjatë procedurës për pajisje me leje ndërtimore, zyrtari komunal i kishte kërkuar, përveç dokumentacionit të rregullt, edhe tri projekte shtesë – hidro, elektro dhe makineri, duke i paraqitur si të domosdoshme për marrjen e lejes.
Megjithatë, sipas hetimeve, këto projekte nuk kërkohen nga Ligji për Ndërtimin për pajisje me leje ndërtimore.
Sipas kallëzimit, i dyshuari kishte ofruar që vetë t’i siguronte projektet për 607 euro, ndërsa më vonë ankuesi ishte udhëzuar që pagesën ta kryente në një zyrë private gjeodezike.
Pas marrjes së lejes ndërtimore, ankuesi kishte konstatuar se asnjëri prej tri projekteve për të cilat kishte paguar nuk ishte pjesë e dosjes zyrtare të lëndës.
Pas zhvillimit të hetimeve dhe grumbullimit të provave, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Ferizaj, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë intervistuar të dyshuarin në prani të avokatit mbrojtës.
Me aktvendim të Prokurorit, Rufat Muqa është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!