image Ekskluzive: Zyrtari i Komunës së Klinës arrestohet për shantazh e kanosje, Policia ia bastis zyrën e banesën

Siguri

Ekskluzive: Zyrtari i Komunës së Klinës arrestohet për shantazh e kanosje, Policia ia bastis zyrën e banesën

news image

Hetimet Rajonale në Gjilan kanë kryer një aksion lidhur me një rast ku është i përfshirë një zyrtar i Komunës së Klinës, nën dyshimet për veprime të kundërligjshme. I dyshuari ka përfunduar në pranga të Policisë dhe tashmë është urdhëruar masa e ndalimit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detajet e rastit dhe bastisjeve që u zhvilluan

I dyshuar për dy vepra penale, ‘Shantazh’ dhe ‘Kanosje’, ku viktima janë dy të rinj, zyrtari komunal u prangos të hënën në Klinë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Elmi Salihun, zyrtar i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Klinës.

Salihu po dyshohet se ka shantazhuar dhe kërcënuar dy viktimat, për motive akoma të panjohura dhe rasti ka ndodhur në muajin prill.

Si rezultat i denoncimit dhe procedimit të rastit, Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjilan kishte arritur të identifikojë të dyshuarin Salihu dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të provuar përfshirjen e tij.

Gjatë operacionit policor lidhur me këtë rast, gjatë ditës së djeshme Policia ka kryer bastisje në zyrën e tij, në Shtëpinë e Kulturës në Klinë, si dhe në banesën e veturën e tij, ku janë sekuestruar prova materiale.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se ndër të tjera, Policia ka marrë si dëshmi pajisje teknologjike, duke përfshirë telefonin, laptopë dhe USB të ndryshme.

Pas përfundimit të aksionit dhe shoqërimit e intervistimit të tij nga hetuesit policorë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Gjilan, teksa është deklaruar edhe drejtori i Kulturës në Komunën e Klinës.

Në një përgjigje për Sinjalin, Driton Bardheci ka bërë me dije shkurt se arrestimi i Salihit nuk ndërlidhet me punën e tij në komumnë.

“Arrestimi i tij nuk nderlidhet me punen si zyrtar i komunes. Ju sugjeroj qe t’ju drejtoheni organeve te drejtesise per me shume informacione.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/