Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Kështu ndodhi edhe mbrëmë në Pejë, ku u prangos një person, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është konfirmuar nga Policia, me ç’rast u bë e ditur se ndaj të dyshuarit është urdhëruar masa e ndalimit policor për veprën “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë është Mustaf Tolaj, 28-vjeçar.
I riu u arrestua pasi fillimisht u ndal nga Policia dhe si rezultat i kontrollit, iu gjetën rreth 20 paketime me substancë narkotike, të llojit marihuanë, grinder për bluarje dhe pajisje tjera.
Pas shoqërimit në stacion policor, i njëjti u intervistua lidhur me rastin dhe u dërgua në mbajtje.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.