Paraqitja e rreme e fakteve, duke i fshehur apo në çfarëdo forme tjetër mashtruese, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, përbën vepër penale. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për shuma të majme parash. Për një rast tillë është arrestuar një person në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur në fund të muajit nëntor vetëm si “vjedhje grabitqare”, por që si rezultat i hetimeve u zbulua se bëhet fjalë për mashtrim.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Patriot Lecaj, 32-vjeçar.
Lecaj fillimisht ishte denoncuar për “Vjedhje grabitqare”, më 28 nëntor nga një 23-vjeçar në Prishtinë, i cili kërkoi ndihmën e Policisë, duke raportuar se i dyshuari ia kishte vjedhur paratë.
Denoncimi i tij aktivizoi hetuesit policorë, me ç’rast i dyshuari është identifikuar dhe gjatë ditës së djeshme, Policia ka arritur ta arrestojë dhe shoqërojë në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.