Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Kështu ndodhi mbrëmë pas mesnate në Gjakovë, ku Policia arrestoi një person, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari që u prangos ishte pasagjer në një veturë, ku pas kontrollit iu gjet një sasi e substancave narkotike, të llojeve marihuanë dhe kokainë.
Sinjali ka mësuar se personi që përfundoi në pranga të Policisë është Kreshnik Bejra, 29-vjeçar.
Posedimi i drogës i kushtoi me arrestim dhe ndalim policor 29-vjeçarit të dyshuar.
Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.