Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme raportoi për arrestimin e Albatros Ajeti, i cili dyshohet se është përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura, bashkë me disa persona tjerë. Ai është dërguar në mbajtje, ndërsa po vazhdojnë hetimet për kapjen e të dyshuarit tjetër që u identifikua.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari dytë është i riu, Enis Haziri.
Ajeti dhe Haziri dyshohen se janë përfshirë në së paku tri raste të grabitjeve të armatosura që kanë ndodhur ditët e fundit në kryeqytet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Ajeti është arrestuar në orët e pasdites dhe fillimisht ka ikur përmes kulmit të shtëpisë, por pasi zyrtarët policorë janë vënë në ndjekje të tij, kanë arritur ta ndalonin.
Përkundër rezistencës nga i dyshuari, Policia e ka prangosur dhe të i njëjti janë gjetur qindra euro, që dyshohet se janë të hollat që i ka grabitur në një biznes në Prishtinë, e po ashtu edhe drogë.
Paratë, droga dhe dëshmitë tjera që u gjetën, janë sekuestruar si prova materiale lidhur me rastin.
Pas arrestimit të tij, Policia ka vazhduar me bastisje edhe në lokacione të ndryshme, por që i dyshuari i dytë, Haziri, ende nuk është hasur.
Me të përfunduar aksioni, Ajeti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.