Natën e Vitit të Ri siç ndodhë pothuajse çdo vit u festua me armë e me fishekzjarrë në Kosovë. Në plot qytete, pati incidente me lëndime trupore, por fatmirësisht pa pasoja fatale. Për një ndër rastet ku dyshohet se u shkaktua rrezik në Prizren , Policia ka arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Personi i arrestuar po dyshohet se ka gjuajtur nga ballkoni i banesës së tij me armë zjarri, më 1 janar dhe pasi Policia ka arritur t’i sigurojë informacionet, është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u ndalua është Erzen Hebibllar, rreth 40-vjeçar.
Si rezultat i kontrollit që ka kryer Policia në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë me karikator, si dhe mbi 10 fishekë – që janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.