Pas disa ditësh në arrati, Policia Rajonale në Pejë ka arritur të arrestojë personin e dyshuar për rastin e grabitjes në një market në Pejë. I dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti është konfirmuar nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Grabitja është kryer më 24 nëntor, në rrugën ‘Gjergj Fishta’ në Pejë dhe rasti ishte denoncuar nga punëtorja e marketit.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë për këtë rast është Mentor Berisha, rreth 41-vjeçar.
Berisha dyshohet se kishte shkuar te marketi i maskuar dhe nën kërcënimin e mjetit të mprehtë – thikës, i ka marrë rreth 500 euro nga arka dhe ka ikur.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i njëjti është identifikuar dhe prangosur nga Policia.
Ndaj tij, pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.