Hetuesit e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prizren kanë goditur një rast të posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mëngjesin e 22 majit 2025, në parkingun e lokalit “Emona” në rrugën “Rrust Kabashi”.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se në qendër të këtij aksioni ka qenë i dyshuari Egzon Kryeziu, 21 vjeçar, të cilit hetuesit gjatë vëzhgimit në terren i kanë parë në dorë një dozë substance të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Ai ndodhej së bashku me dëshmitarin Aleksander Gjonaj, 33 vjeçar, pranë një motoçiklete që më vonë u kontrollua.
Pas kontrollit fizik dhe të motoçikletës, janë gjetur e sekuestruar 13 doza marihuanë me peshë rreth 20 gramë si dhe një shumë prej rreth 200 euro në kartëmonedha të ndryshme.
Hetuesit, në konsultim me prokurorin kujdestar, kanë bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, ku është gjetur një qese me pluhur të bardhë me peshë rreth 4 gramë, për të cilin ende nuk dihet përbërja.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të Egzon Kryeziut në Qendrën e Mbajtjes.
Hetimet janë në zhvillim dhe pritet analizimi i substancës së dyshuar të konfiskuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!