Një bastore ilegale është zbuluar nga Policia e Kosovës në një lokal, në rrugën “Ibrahim Demolli”, në Podujevë, ku dyshohet se është zhvilluar veprimtari e paligjshme e lojërave të fatit.
Sinjali mëson se mbrëmë, rreth orës 21:30, Policia në Podujevë kanë ndërmarrë një aksion të befasishëm në një lokal, ku dyshohej se po zhvilloheshin aktivitete të jashtëligjshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në lokalin në fjalë janë identifikuar veprime që lidhen me organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, për çka është arrestuar një person.
Sinjali mëson se dyshuari është identifikuar si Gazmend Mehmeti, i cili është shoqëruar në stacion, ku është intervistuar nga hetuesit në cilësinë e të dyshuarit.
Në cilësinë e provave materiale, Policia ka sekuestruar pajisje elektronike dhe aparatura që shërbenin për zhvillimin e lojërave të ndaluara.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm, është inicuar rasti penal për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe skema piramidale.
Hetimet po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.