image Ekskluzive | Zbulohen mbi 5 mijë euro monedha të dyshuara si false në Stacionin e Autobusëve në Suharekë – ruheshin prej vitesh në sef

Siguri

Ekskluzive | Zbulohen mbi 5 mijë euro monedha të dyshuara si false në Stacionin e Autobusëve në Suharekë – ruheshin prej vitesh në sef

news image

Një rast i pazakontë i dyshimit për falsifikim të parasë është zbuluar në Suharekë, ku mijëra euro në monedha metalike janë dorëzuar në Polici pasi dyshohet se nuk janë autentike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se më 4 qershor 2026, rreth orës 11:30, në Stacionin Policor është paraqitur Kryeshefi Ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve në Suharekë, i cili ka dorëzuar një sasi të konsiderueshme monedhash metalike prej 1 dhe 2 eurosh.

Sipas deklarimeve të tij, bëhet fjalë për monedha në vlerë të përgjithshme prej rreth 5 mijë euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Sinjali mëson se këto para janë grumbulluar ndër vite nga pagesat e udhëtarëve në linjat urbane, ndërurbane dhe ndërkombëtare. Monedhat ishin pranuar nga operatorët e transportit dhe më pas ishin ruajtur në një sef brenda Stacionit të Autobusëve.

Pasi janë vërejtur dyshime mbi autenticitetin e tyre, përgjegjësit e stacionit kanë vendosur t’i dorëzojnë tek autoritetet për verifikim.

Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda është iniciuar rasti për veprën penale “Falsifikim i parasë”, ndërsa njësia e Forenzikës ka sekuestruar të gjitha monedhat për ekzaminime të mëtejshme.

Hetuesit tani do të analizojnë origjinën e monedhave dhe do të tentojnë të zbulojnë se si kanë hyrë në qarkullim dhe nëse lidhen me ndonjë rrjet të organizuar të falsifikimit të valutës.

Rasti është nën hetime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/