Dy persona kanë përfunduar në ndalim policor, pasi Policia e Kosovës arriti t’i identifikojë si të dyshuar për vjedhjen e një motoçiklete me vlerë rreth 8 mijë euro, rast që kishte ndodhur në muajin maj në Prishtinë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se vjedhja ishte kryer më 22 maj 2026, në intervalin kohor 21:00–21:30, në rrugën “Gazmend Zajmi”, ku persona të panjohur kishin arritur të përvetësonin një motoçikletë të tipit Yamaha X-Max, në pronësi të M.S, rreth 51-vjeçar.
Sipas informacioneve, autorët kishin përdorur një automjet të paidentifikuar për ta realizuar vjedhjen dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë që çonin menjëherë te identifikimi i tyre.
Megjithatë, pas një pune intensive operative dhe hetimore të zhvilluar nga Sektori i Hetimeve në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, hetuesit kanë arritur të identifikojnë si të dyshuar Gjemajl Krasniqin, rreth 35-vjeçar dhe Dionis Buzakun, rreth 21-vjeçar.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 9 korrik është siguruar prezenca e të dyshuarve, të cilët janë intervistuar nga hetuesit.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe mënyrën e realizimit të vjedhjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!