image Ekskluzive | Vodhën kasafortën me 10 mijë euro, Gjykata u cakton arrest shtëpiak dy të miturve në Mitrovicë

Siguri

Ekskluzive | Vodhën kasafortën me 10 mijë euro, Gjykata u cakton arrest shtëpiak dy të miturve në Mitrovicë

news image

Dy të mitur të dyshuar për vjedhjen e një kasaforte me rreth 10 mijë euro para të gatshme nga një banesë në Mitrovicë, kanë dalë para Gjykatës dhe tashmë do të përballen me masë sigurie.

Gazeta Sinjali kishte raportuar se fillimisht pronari i banesës, Arbër Peci, kishte denoncuar në Polici se nga dhoma e tij ishte zhdukur një kasafortë ku mbante rreth 10 mijë euro, ndërsa sipas tij, autorët kishin hyrë me çelës, pasi nuk ishin evidentuar shenja thyerjeje apo përdorimi force.

Pas hetimeve intensive, Policia identifikoi dhe arrestoi dy të miturit me inicialet E.H. (15 vjeç) dhe M.O. (16 vjeç). Fillimisht, njëri prej tyre dyshohet se kishte pranuar përfshirjen në vjedhje, duke deklaruar se veprën e kishte kryer bashkë me të miturin tjetër.

Të dy janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, prindërve dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa ndaj tyre ishte caktuar masa e ndalimit prej 24 orësh.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 11 qershor, rreth orës 15:40, dy të miturit janë paraqitur para Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për të Mitur, ku gjyqtari i çështjes ka vendosur t’u caktojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe lokalizimin e shumës së vjedhur prej rreth 10 mijë eurosh janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/