image Ekskluzive: Vidhet arma e gjahut në një shtëpi në Pejë, Policia nis hetimet

Siguri

Ekskluzive: Vidhet arma e gjahut në një shtëpi në Pejë, Policia nis hetimet

news image

Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në Pejë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë vjedhur një armë gjahu nga një shtëpi në lagjen “Asllan Qeshme”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 21 qershor, rreth orës 13:30, pasi familjarët kishin vërejtur se mungonte arma e gjahut në pronësi të V.M., i cili jeton jashtë vendit.

Burimet bëjnë të ditur se dëshmitari kishte deklaruar se e kishte parë derën e dhomës së gjumit të hapur, ndërsa më pas kishte vërejtur se arma e gjahut nuk ndodhej aty ku ishte vendosur.

Sipas deklarimit të tij, arma kishte qenë në dhomë dhe herën e fundit ishte parë më 20 qershor, rreth orës 21:00.

Në anën tjetër, dëshmitarja ka deklaruar se pronari i armës, kunati i saj, kishte kërkuar që ajo ta merrte armën dhe ta dorëzonte në Polici, por kur kishte shkuar në dhomë, kishte vërejtur se dera ishte hapur me forcë dhe më pas kishte njoftuar menjëherë Policinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, njësiti i hetimeve dhe ekipi i Krim-teknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/