Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në veri të vendit, ku si pasojë e përplasjes mes dy veturave, njëra prej tyre ka përfunduar në lumin Ibër. Ngjarja ka ndodhur më 11 prill 2025 rreth orës 13:00 në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, konkretisht në fshatin Kamenicë të Zveçanit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete me targa të Beogradit: një veturë Peugeot me ngjyrë të zezë dhe një Skoda Oktavia me ngjyrë gri.
Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e shoferes së veturës Peugeot, e identifikuar si J.B, e cila ka tentuar të tejkalojë pa u siguruar për sigurinë e lëvizjes në rrugë, duke e rrezikuar veturën tjetër që ndodhej në tejkalim.
Për pasojë, vetura Skoda, e drejtuar nga një shtetase serbe, ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Ibër.
Si pasojë e aksidentit, janë lënduar drejtuesja dhe pasagjeri i kësaj veture, të cilët janë identifikuar si N.M. dhe N.D.
Të lënduarve u është ofruar ndihma e parë në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Veriut, ku edhe po vazhdojnë trajtimin mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetën.