image Ekskluzive: Vëllezërit Bytyqi demolojnë villat dhe shtëpinë e vëllait në Prizren, Policia u gjen armë e municion

Siguri

Ekskluzive: Vëllezërit Bytyqi demolojnë villat dhe shtëpinë e vëllait në Prizren, Policia u gjen armë e municion

news image

Një konflikt verbal i nisur për motive akoma të panjohura në familjen Bytyqi në Prizren eskaloi të hënën pasdite. Dy persona po dyshohen se u përfshinë në këtë incident, ku viktimë është vëllai i tyre dhe biznesi i tij. Policia ka kryer tashmë bastisje për këtë rast dhe dy të dyshuarit kanë përfunduar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Kush janë vëllezërit që ia demoluan vëllait villat dhe u arrestuan?

Siç merr vesh Sinjali ekskluzivisht dy personat që u prangosën janë Xhavit Bytyqi (48) dhe Sylejman Bytyqi (45), ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për tri vepra penale.

Dy vëllezërit Bytyqi janë arrestuar nën dyshimet se të njëjtit i kanë demoluar disa villa te kompleksi hotelierik ‘Vila Crazy Love” në Prizren, ku pronar është vëllai i tyre.

Për të mos mbaruar me kaq, ata dyshohen se kanë shkaktuar dëme edhe te shtëpia e vëllait të tyre dhe sipas informacioneve të para, vlera e dëmit dyshohet të jetë e lartë.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në shtëpinë e të dyshuarit Xhavit Bytyqi janë gjetur dhe konfiskuar armë, mbi 100 fishekë, thikë, shufër metalike – si dhe një automjet, që dyshohet se është përdorur në rast.

Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe më pas të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

I dyshuari Xhavit Bytyqi do të hetohet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Sylejman Bytyqi për veprat “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj” dhe “Dhuna në familje”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/