image Ekskluzive | U kapën “në flagrancë” duke nxjerrë naftë nga ekskavatori në hekurudhë – arrestohen katër të rinj në Vushtrri

Siguri

Ekskluzive | U kapën “në flagrancë” duke nxjerrë naftë nga ekskavatori në hekurudhë – arrestohen katër të rinj në Vushtrri

news image

Ajo që dyshohet të ketë qenë një plan për të vjedhur derivate gjatë natës, u ndërpre nga reagimi i shpejtë i rojës së vendpunishtes dhe ndërhyrja e Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës në fshatin Shtitaricë të Vushtrrisë, në zonën ku po zhvillohen punime në hekurudhë.

Sipas informacioneve të para, roja e vendpunishtes kishte vërejtur një veturë të dyshimtë dhe disa persona pranë një ekskavatori, duke dyshuar se po tentonin të vidhnin naftë nga makineria e punës. Ai ka njoftuar menjëherë Policinë.

Njësitet policore kanë reaguar me shpejtësi, duke arritur të lokalizojnë automjetin dhe personat e dyshuar. Gjatë kontrollit, në veturë janë gjetur disa bidonë dhe një gyp plastik, të cilët dyshohet se do të përdoreshin për nxjerrjen e derivateve nga rezervuari i ekskavatorit.

Hetimet fillestare kanë zbuluar se të dyshuarit paraprakisht kishin hapur me forcë kapakun e rezervuarit të ekskavatorit, por nuk kishin arritur ta realizonin vjedhjen.

Sinjali mëson se në pranga kanë përfunduar L.Z. (25 vjeç), F.M. (28 vjeç), G.G. (21 vjeç) dhe K.R. (21 vjeç).

Të katër janë shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri, ku janë intervistuar në prani të hetuesve. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë në tentativë”, ndërsa të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Nafta nuk u vodh, por tentativa për ta bërë këtë i çoi katër të rinjtë nga vendpunishtja e hekurudhës drejt qelive të ndalimit policor.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/