image Ekskluzive | U kap me pistoletë në brez brenda një lokali në Istog, 21-vjeçari: E bleva para pesë ditësh në Prishtinë

Ekskluzive

Ekskluzive | U kap me pistoletë në brez brenda një lokali në Istog, 21-vjeçari: E bleva para pesë ditësh në Prishtinë

news image

Një 21-vjeçar është proceduar nga Policia e Kosovës pasi u kap me armë zjarri në një lokal në Istog, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Arti Kuçi, 21 vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia ishte njoftuar për një rrahje në lokalin “FRON BAR” në Istog. Megjithatë, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, nuk është konstatuar asnjë përleshje.

Burimet bëjnë të ditur se zyrtarë policorë jashtë detyrës zyrtare, të cilët ndodheshin në lokal me rroba civile, kishin vërejtur se i dyshuari mbante një pistoletë në brez. Pasi iu prezantuan si policë, ata ia morën armën dhe e mbajtën nën kontroll deri në mbërritjen e patrullës.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, kamarieri i lokalit gjeti dhe dorëzoi në Polici një karikator me pesë fishekë, që dyshohet se i përkiste armës së të dyshuarit.

Në intervistë, Arti Kuçi ka pranuar se pistoleta dhe karikatori ishin të tij, duke deklaruar se armën e kishte blerë pesë ditë më parë në Prishtinë nga persona të panjohur. Ai ka thënë se atë natë kishte konsumuar alkool dhe e kishte marrë armën me vete, ndonëse, sipas deklarimit të tij, nuk kishte konflikt apo problem me askënd.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/