image Ekskluzive | U arratis pas të shtënave në Prishtinë, dorëzohet me avokat i dyshuari për tentim-vrasje

Siguri

Ekskluzive | U arratis pas të shtënave në Prishtinë, dorëzohet me avokat i dyshuari për tentim-vrasje

news image

Vetëm një ditë pasi Policia bastisi shtëpinë e tij dhe e futi në kërkim, është dorëzuar personi që dyshohet se qëndron prapa të shtënave me armë zjarri që tronditën Prishtinën në orët e para të 16 qershorit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Sabit Mustafa, i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, është paraqitur mëngjesin e sotëm në Njësinë për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Mustafa kërkohej nga Policia pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Fitor Vitisë në rrugën “Holger Petersen”, ndërsa një plumb kishte depërtuar në xhamin e pasmë të veturës së viktimës.

Siç raportoi Sinjali, gjatë hetimeve policore ishte kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ishte gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në incident. Megjithatë, në momentin e bastisjes ai nuk ishte gjetur në banesë dhe ishte futur në kërkim policor.

Pas dorëzimit, i dyshuari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga hetuesit e rastit.

Me vendim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Nga person në arrati, në të ndaluar për tentim-vrasje. Pas kërkimeve policore dhe bastisjes në shtëpinë e tij, Sabit Mustafa u paraqit vetë në Polici, i shoqëruar nga avokati mbrojtës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

/GazetaSinjali/