image Ekskluzive | Tre të mitur kapen me pistoletë me gaz në Malishevë, pranojnë se kishin shtënë me armë - nën hetim edhe babai i 13-vjeçarit

Ekskluzive

Ekskluzive | Tre të mitur kapen me pistoletë me gaz në Malishevë, pranojnë se kishin shtënë me armë – nën hetim edhe babai i 13-vjeçarit

news image

Tre të mitur janë shoqëruar në Polici, ndërsa një 40-vjeçar po hetohet pasi arma me të cilën dyshohet se është shtënë rezultoi të ishte në pronësi të tij, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 7 korrik, rreth orës 13:40, në fshatin Carrallukë të Malishevës, në rrugën transitore Carrallukë–Banjë.

Gjatë patrullimit, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Malishevë ka hasur një automjet të ndalur, në të cilin ndodheshin tre të mitur: L.B., rreth 14-vjeçar, F.Z., rreth 15-vjeçar dhe E.K., rreth 16-vjeçar.

Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e pasagjerit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz e markës “Zoraki”, kalibër 9 mm, me një karikator, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe katër gëzhoja të kalibrit 9 mm, që dyshohet se ishin shkrepur nga e njëjta armë.

Pas shoqërimit në stacion policor, është konstatuar se njëri nga të miturit, L.B., është nën moshën 14-vjeçare, ndaj është dërguar në Qendrën për Punë Sociale. Dy të miturit e tjerë janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatit mbrojtës, ku kanë pranuar se kishin shtënë me pistoletën.

Në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe Avni Bytyqi, rreth 41-vjeçar, babai i 13-vjeçarit, i cili ka deklaruar se arma ishte në pronësi të tij, por se djali ia kishte marrë pa dijeninë e tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurorit për të Mitur dhe Prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm, është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas përfundimit të procedurave, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/