Zyrtarët e pylltarisë jo rrallëherë kanë qenë cak i kanosjeve e përleshjeve fizike me qytetarë, si pasojë e konflikteve gjatë punës së tyre. Por, ndryshe ka ndodhur në një rast të fundit që u raportua në Kaçanik, ku këtë herë një roje i pyllit dyshohet për rrahjen e një qytetari, në fshatin Gjurgjedell, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari fillimisht e kishte ndalur veturën ku ndodhej viktima dhe pas kontrollit, kanë pasur një fjalosje që eskaloi në kanosje e sulm.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se roja që u arrestua lidhur me këtë rast është Halim Reqi, rreth 37-vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se roja i pyllit e ka kërcënuar viktimën me thikë, duke iu drejtuar me fjalët “unë t’pres edhe t’çoj në burg”.
Përballë kësaj situate, ka intervenuar një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes, por i dyshuari e ka sulmuar viktimën.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.