Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet. Shtëpitë, bizneset e ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera publike janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.
Një vjedhje e tillë është raportuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Dugë të Shtimes, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur dy armë zjarri.
Siç mëson Sinjali, rreth orës 20:20, Policia është njoftuar nga B. K., rreth 55-vjeçar se shtëpia e vëllait të tij, E.K, ishte thyer dhe demoluar. Sipas të dhënave fillestare, nga objekti janë vjedhur: një pistoletë e tipit Smith & Wesson, kalibër 9mm, një armë gjahu e modelit Salix Arms, kalibër 12 GA.
Për të dy armët, pronari posedon leje valide.
Në momentin e incidentit, pronari i shtëpisë ndodhej jashtë vendit, konkretisht në Zvicër.
Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore, njësia e hetimeve dhe forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë intervistuar dëshmitarin.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”.
Rasti i është deleguar për hetim Stacionit Policor në Shtime dhe hetimet janë në vazhdim për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!