image Ekskluzive | Therje me thikë mes të miturve në Gjilan – 17-vjeçari arrestohet për tentim vrasjeje

Siguri

Ekskluzive | Therje me thikë mes të miturve në Gjilan – 17-vjeçari arrestohet për tentim vrasjeje

news image

Një përleshje e rëndë mes dy të rinjve ka përfunduar me therje me thikë në Gjilan, ndërsa Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka iniciuar rast për veprën penale “Vrasje në tentativë”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 qershorit në rrugën “Avdulla Tahiri”, ku Policia është njoftuar rreth orës 20:50 për një person të plagosur me mjet të mprehtë.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë siguruar lokacionin dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është F. V, ndërsa si i dyshuar për sulmin është arrestuar H. J.

Në vendngjarje është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.

Viktima është dërguar për trajtim në Emergjencën e Gjilanit, ndërsa sipas burimeve mjekësore gjendja e tij raportohet stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet janë marrë në trajtim nga Hetimet Rajonale.

Autoritetet po punojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat që çuan në përleshjen e përgjakshme mes dy të rinjve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/