image Ekskluzive: Tentuan ta grabisnin me shpatë dhe pajisje të rënda – Sulmohet punëtori i pompës së derivateve “Inter-AS Petroll”, në Obiliq

Ekskluzive

Ekskluzive: Tentuan ta grabisnin me shpatë dhe pajisje të rënda – Sulmohet punëtori i pompës së derivateve “Inter-AS Petroll”, në Obiliq

news image

Siguria publike në vend po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga rastet e vjedhjeve dhe grabitjeve, që po përhapen me shpejtësi dhe po shkaktojnë frikë e pasiguri te qytetarët e bizneset. Një rast i rëndë i grabitjes në tentativë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Obiliq.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 31 maj 2025, rreth orës 02:00, në rrugën “Hasan Prishtina”, në pikën e karburanteve “Inter-AS Petroll”, ku dy persona të maskuar kanë sulmuar pompën me mjet të fortë dhe shpatë.

Të dyshuarit, që dyshohet se erdhën në këmbë nga drejtimi i fshatit Shkabaj, kanë thyer xhamin e kabinës ku ndodhej punëtori, A.R., rreth 36 vjeçar, i cili pësoi lëndime në kokë dhe fytyrë si pasojë e copave të xhamit.

Fatmirësisht, autorët nuk kanë arritur të marrin asgjë, pasi viktima ka tentuar të njoftojë Policinë dhe të dyshuarit janë arratisur në këmbë përmes fushave, në drejtim të fshatit Shkabaj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet patrulluese dhe hetuesi kujdestar, ndërsa për shkak të mungesës momentale të njësisë së Forenzikës, vendi i ngjarjes është siguruar në vazhdimësi nga patrulla.

Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore në vend, ku janë konstatuar lëndime të lehta trupore, ndërsa më pas është intervistuar lidhur me ngjarjen.

Policia është në kërkim të autorëve të dyshuar, ndërsa rasti është klasifikuar si “Grabitje në tentativë” dhe po hetohet nga njësitë përkatëse.

Gazeta Sinjali do të raportojë më tej me detaje të reja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/