image Ekskluzive | Telefonatë kërcënuese në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë – telefonuesi fliste anglisht, më pas shqip

Ekskluzive

Ekskluzive | Telefonatë kërcënuese në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë – telefonuesi fliste anglisht, më pas shqip

news image

Një telefonatë me përmbajtje kërcënuese e pranuar në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për identifikimin e personit që qëndron pas rastit, raporton Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 16 korrik, rreth orës 16:30, ndërsa rasti është raportuar në Polici mëngjesin e 17 korrikut, rreth orës 09:00.

Sipas burimeve, një staf i ambasadës kishte pranuar një telefonatë në objektin e Ambasadës së Luksemburgut, ku komunikimi fillimisht ishte zhvilluar në gjuhën angleze, e më pas kishte vazhduar në gjuhën shqipe.

Sipas provave të grumbulluara deri më tani, personi në anën tjetër të linjës kishte përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese, para se ta ndërpriste telefonatën.

Pas denoncimit, njësitë policore kanë dalë në objektin e ambasadës, ndërsa në koordinim me hetuesin kujdestar dhe Prokurorin e Shtetit janë ndërmarrë veprimet e para hetimore për identifikimin e autorit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si vepër penale “Kanosje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/