Një konflikt verbal që eskaloi në përleshje fizike dhe më pas në të shtëna me armë ka alarmuar qytetarët në Vushtrri në orët e para të mëngjesit, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuar në këtë rast është Y.K., rreth 48-vjeçar ndërsa si viktimë figuron A.K., rreth 42-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 15 maj 2026 rreth orës 00:30 në rrugën “Avni Saraqi” në Vushtrri.
Sipas informatave, fillimisht kishte ndodhur një zënkë verbale mes dy personave, e cila më pas kishte kaluar në përleshje fizike.
Sinjali mëson se pas konfliktit, njëri nga të përfshirët kishte shkuar te vetura e tij dhe nga dera e pasagjerit kishte shtënë një herë me armë zjarri në ajër, para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Nga të shtënat nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në vendngjarje, Policia ka gjetur një gëzhojë që dyshohet të jetë e një arme me gaz kalibër 9 mm.
Njëri nga personat e përfshirë është intervistuar në cilësinë e ankuesit, ndërsa i dyshuari nuk është arritur të lokalizohet dhe vazhdon të jetë në kërkim.
Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 04:35, një mik i të dyshuarit ka dorëzuar në stacion policor armën e tipit “Ekoll Special”, për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Më pas, gjatë bastisjes së lokacionit të të dyshuarit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe: një pistoletë “Zoraki M906-T”, një karikator, dhe pesë fishekë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për veprat: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!