Një incident me armë zjarri ka alarmuar banorët e Hajvalisë mbrëmjen e së martës, ndërsa Policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave që dyshohet se shtinë me armë në një lagje të banuar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar rreth orës 19:25 në rrugën “Fenikset e Lirisë”, ku qytetarët kanë njoftuar për të shtëna me armë zjarri.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjatë ekzaminimit kanë gjetur gjithsej 12 gëzhoja – 11 të kalibrit 9 mm dhe një të kalibrit 7.65 mm, të shpërndara pranë një shtëpie në këtë lagje.
Sinjali mëson se personi që e kishte raportuar rastin nuk ka dhënë deklaratë për shkak të rrethanave familjare, ndërsa është intervistuar pronari i shtëpisë pranë së cilës janë gjetur gëzhojat.
Sipas deklarimit të tij, ai nuk kishte dëgjuar asgjë dhe nuk kishte informacion lidhur me personat që mund të kenë qenë të përfshirë në incident.
Me vendim të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pavarësisht numrit të madh të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!