image Ekskluzive | Të shtëna me armë para lokalit në Llapnasellë – dy serbë e dy shqiptarë nën hetim, njëri tentoi të fshehë provat

Siguri

Ekskluzive | Të shtëna me armë para lokalit në Llapnasellë – dy serbë e dy shqiptarë nën hetim, njëri tentoi të fshehë provat

news image

Një incident me armë zjarri ka alarmuar mbrëmjen e së premtes banorët e Llapnasellës në Graçanicë, ku pas të shtënave para një lokali, Policia ka shoqëruar katër persona dhe ka sekuestruar një pistoletë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se në këtë rast janë përfshirë Xh.K, rreth 57-vjeçar, B.K, rreth 59-vjeçar, B.S, rreth 39-vjeçar dhe M.D, rreth 36-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 17 korrik, rreth orës 20:00, para lokalit “Firma” në Llapna Sellë, ku dyshohet se Boban Stevanoviq ka shtënë me armë zjarri, pasi paraprakisht ishte ulur në tavolinë me Xhevat dhe Besim Krasniqin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët gjatë ekzaminimit kanë gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Gjatë kontrollit, te Xhevat Krasniqi është gjetur një pistoletë “Arex Delta M”, me një karikator pa municion. Sipas Policisë, ai posedonte leje të vlefshme për mbajtjen dhe bartjen e armës, megjithatë arma është sekuestruar për nevojat e hetimit.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se punëtori i lokalit, M.D, dyshohet se ka tentuar të largojë gëzhojat nga vendi i ngjarjes, duke ndërhyrë në provat materiale.

Të katër personat janë shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku janë testuar edhe për alkool. Rezultatet kanë treguar se Xh.Kkishte 0.81 promil, B.K 1.16 promil, ndërsa B.S 1.23 promil alkool në gjak.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre janë iniciuar procedura për veprat penale “Përdorimi i armës së zjarrit”, “Mbajtja e armës pa leje” dhe “Manipulimi me prova”. Pas intervistimit, të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/