Të shtënat me armë gjatë një ahengu familjar kanë alarmuar Policinë në fshatin Mramor të Prishtinës, duke çuar në sekuestrimin e armës dhe nisjen e procedurës penale ndaj një 52-vjeçari.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Rexhep Gashi (52-vjeç).
Sipas informacioneve, dje rreth orës 13:00, Policia ka pranuar një njoftim se në rrugën “Pellazgët” po dëgjoheshin të shtëna me armë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur Rexhep Gashin.
I dyshuari ka pranuar para policëve se kishte shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar, duke deklaruar se armën e posedonte me leje.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë sekuestruar një armë zjarri, një karikator, tetë gëzhoja të kalibrit 9×19, dy fishekë të të njëjtit kalibër, si dhe kartelën e lejes për armë.
Rexhep Gashi është shoqëruar në Stacionin Policor, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Përdorim i paautorizuar i armës”, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!