Një incident i rrezikshëm ka ndodhur në Lipjan, ku një person i panjohur ka shtënë disa herë me armë zjarri dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 2 maj 2026 rreth orës 21:00, në rrugën “Bajram Gashi”.
Sipas dëshmitarit S. J (22-vjeçar), ai kishte dalë nga shtëpia kur ka vërejtur një person në oborrin e fqinjit. I njëjti i është drejtuar me fjalët “ik hyr brenda”, e më pas ka shtënë tri herë me armë në ajër.
Pas të shtënave, i dyshuari është larguar, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Në terren janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës”.
Hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!