image Ekskluzive | Sulmoi babanë, u përlesh me policët dhe përfundoi në paraburgim – një muaj masë ndaj 31-vjeçarit nga Vushtrria

Siguri

Ekskluzive | Sulmoi babanë, u përlesh me policët dhe përfundoi në paraburgim – një muaj masë ndaj 31-vjeçarit nga Vushtrria

news image

Një konflikt familjar në Vushtrri ka degraduar në dhunë ndaj prindit dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë, duke përfunduar me caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për Valon Sadriun (31-vjeçar), i cili tashmë është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, pasi Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur më 9 qershor, rreth orës 23:30, në rrugën “Ismet Haliti” në Vushtrri, pasi Policia kishte pranuar informacion për një mosmarrëveshje familjare.

Kur patrulla kishte arritur në vendin e ngjarjes, kishte hasur në të dyshuarin, i cili dyshohet se ndodhej nën ndikimin e alkoolit dhe kishte shfaqur sjellje tejet agresive. Në prani të policëve, ai dyshohet se kishte tentuar ta sulmonte fizikisht babanë e tij, F. S (67-vjeçar), duke e goditur me telefon.

Teksa zyrtarët policorë po përpiqeshin të vinin situatën nën kontroll, 31-vjeçari dyshohet se është kthyer edhe ndaj tyre, duke tentuar ta godiste me grusht njërin prej policëve.

Për të neutralizuar situatën, njëri nga zyrtarët policorë kishte përdorur sprejin zyrtar (CO), por i dyshuari kishte vazhduar rezistencën, duke marrë një pjesë druri, derë dollapi, të cilën e kishte hedhur në drejtim të policëve, ndërsa gjatë gjithë kohës kishte vazhduar me kërcënime dhe fyerje verbale.

Nga sulmi i tij, lëndime kishte pësuar babai i të dyshuarit, i cili kishte marrë trajtim mjekësor. Ndërkohë, si pasojë e përdorimit të sprejit zyrtar, trajtim mjekësor kishte pranuar edhe një zyrtar policor që ndodhej në afërsi gjatë ndërhyrjes.

Pas arrestimit, testi i alkoolit kishte rezultuar me 0.5 promil alkool në organizmin e Valon Sadriut.

Pas intervistimit dhe procedurave hetimore, Prokuroria kishte kërkuar masë sigurie, ndërsa më 11 qershor, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me aktvendim ka vendosur caktimin e paraburgimit prej një muaji, i cili llogaritet nga data 9 qershor 2026.

Hetimet për rastin vazhdojnë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/