image Ekskluzive: Sulm seksual ndaj punëtores në "Emona Center" në Mitrovicë të Veriut – I dyshuari përfundon në mbajtje

Ekskluzive

Ekskluzive: Sulm seksual ndaj punëtores në “Emona Center” në Mitrovicë të Veriut – I dyshuari përfundon në mbajtje

news image

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla jo rrallëherë ndodhin në hapësira publike, kafeteri e biznese të ndryshme e madje edhe në institucione publike. Një rast i tillë është raportuar sot, rreth orës 12:00, në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicë të Veriut, ku një grua është ngacmuar seksualisht gjatë orarit të punës.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se viktima është E. I, rreth 24-vjeçare e cila punon në marketin “Emona Center”. Sipas kallëzimit, teksa ishte duke punuar e përkulur për të rregulluar artikujt në rafte, një klient i dyshuar është afruar pas saj dhe e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme, pa pëlqimin e saj.

Menjëherë pas incidentit është njoftuar hetuesi kujdestar, i cili në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka iniciuar rastin si “Sulm seksual”, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari, i identifikuar si N.A, rreth 58-vjeçar, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ngjarja ka shkaktuar reagime brenda stafit të marketit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe verifikimin e ndonjë ngjarjeje të mundshme të përsëritur.

Sinjali do të sjellë të gjitha zhvillimet nga ky rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/