Tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë një ndërhyrjeje policore në Ferizaj, pasi u sulmuan dhe u penguan në kryerjen e detyrës zyrtare nga disa persona të dyshuar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se incidenti ndodhi në rrugën “Gavrill Dara”, ku policia kishte dalë për të trajtuar një rast të raportuar si “Kanosje”.
Sipas informacioneve, në momentin e mbërritjes së njësive policore në vendngjarje, aty ndodheshin dhjetëra persona, pasi në konflikt ishin përfshirë dy familje.
Gjatë tentativës për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, P.H, situata ka eskaluar. Sipas burimeve, M.S ka penguar aktivisht zyrtarët policorë duke mos i lejuar ta prangosnin të dyshuarin.
Më pas në incident dyshohet se janë përfshirë edhe familjarë të Premtim Hamidit, të cilët kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policorë.
Nga detajet që ka mësuar Sinjali, B.H dyshohet se ka goditur me grusht në gjoks një zyrtar policor, duke i dëmtuar edhe uniformën zyrtare, ndërsa po ashtu dyshohet se e ka kanosur me fjalë serioze kërcënuese.
Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë pajisur me raporte mjekësore.
Për shkak të rezistencës së hasur, policët janë detyruar të përdorin forcën e nevojshme dhe sprejin OC për ta vënë situatën nën kontroll.
Pas intervistimit të palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Pengim ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë transferuar te Njësia Rajonale e Hetimeve për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!