Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në palestrën sportive “Karagaqi” në Pejë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit mes Pejës dhe Bashkimit, ku një qytetar ka sulmuar një zyrtar policor që ishte i angazhuar në sigurimin e ngjarjes.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Fatlum Shala, rreth 26-vjeçar, kishte kërkuar të largohej nga salla dhe zyrtarët policorë ia kishin mundësuar daljen përmes derës hyrëse. Por pak çaste më pas, ai ishte kthyer dhe kishte filluar të godasë derën me shqelma.
Në momentin kur policët kanë hapur derën për të parë çfarë po ndodhte, i dyshuari i ka sulmuar, duke u përplasur fuqishëm me kraharor mbi një prej tyre, duke e goditur pa paralajmërim.
Gjatë përplasjes, ai i është drejtuar policëve me kërcënime dhe fjalë sfiduese: “Ki me pa ti kush jam unë! Nuk më njeh ti kush jam unë! Kam me ju ardh edhe në stacion!”
Pas ngjarjes, i dyshuari është arrestuar menjëherë, por ka vazhduar të tregojë sjellje agresive, duke kundërshtuar arrestimin dhe refuzuar bashkëpunimin me policinë. Fatmirësisht, zyrtari i përfshirë në incident nuk ka pësuar lëndime trupore.
Lidhur me rastin, me urdhër të Prokurorit kujdestar, 26-vjeçari është dërguar në ndalim policor për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Rasti është nën hetim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!