image Ekskluzive | Sinjali zbulon identitetin e katër të arrestuarve në Ferizaj – gjatë aksionit u sekuestruan armë, dhjetëra fishekë dhe municion që dyshohet se i përket Policisë së Kosovës

Siguri

Ekskluzive | Sinjali zbulon identitetin e katër të arrestuarve në Ferizaj – gjatë aksionit u sekuestruan armë, dhjetëra fishekë dhe municion që dyshohet se i përket Policisë së Kosovës

news image

Një aksion i Policisë së Kosovës, i zhvilluar pas një denoncimi për kanosje, ka përfunduar me arrestimin e katër personave në Ferizaj dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh e municioni, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë Hamdi Thaçi (50 vjeç), Shpëtim Thaçi (27 vjeç), Egzon Buquku (37 vjeç) dhe Elvin Hyseni (27 vjeç).

Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit, pas veprimeve intensive operativo-hetimore, i lokalizuan të dyshuarit në ambientet e “Como Restaurant” në fshatin Babush të Ferizajt.

Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi katër armë zjarri dhe një sasi të madhe municioni:

  • një Glock 17 me dy karikatorë dhe 34 fishekë;
  • një SIG Sauer me 30 fishekë;
  • një CZ me 15 fishekë;
  • një FN Five-seveN me 19 fishekë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se 10 prej fishekëve të sekuestruar dyshohet se janë municion zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi mbanin shenjën identifikuese “PK” me ngjyrë të kaltër. Për këtë arsye është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili pritet të sqarojë origjinën e këtij municioni.

Të katër të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku dy prej tyre kanë dhënë deklaratë në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa dy të tjerët kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të sqarojnë jo vetëm rrethanat e konfliktit, por edhe prejardhjen e municionit që dyshohet se i përket Policisë së Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/