Dy persona janë identifikuar si të dyshuar për disa raste të grabitjeve të armatosura në Prishtinë kohët e fundit. Njëri nga ta, Albatros Ajeti, u arrestua gjatë ditës së djeshme, ndërsa i dyshuari tjetër, Enis Haziri, ndodhet ende në arrati dhe Policia po punon për lokalizimin e vendndodhjes së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht edhe fotografitë e dy të dyshuarve, të cilët mes tjerash dyshohen edhe për grabitjen e armatosur në këmbimoren e valutave ‘ExCoins’ në rrugën ‘Zija Shemsiu’ në Prishtinë.
Ajeti është arrestuar në orët e pasdites dhe fillimisht ka ikur përmes kulmit të shtëpisë, por pasi zyrtarët policorë janë vënë në ndjekje të tij, kanë arritur ta ndalonin.
Përkundër rezistencës nga i dyshuari, Policia e ka prangosur dhe të i njëjti janë gjetur qindra euro, që dyshohet se janë të hollat që i ka grabitur në një biznes në Prishtinë, e po ashtu edhe drogë.
Paratë, droga dhe dëshmitë tjera që u gjetën, janë sekuestruar si prova materiale lidhur me rastin.
Pas arrestimit të tij, Policia ka vazhduar me bastisje edhe në lokacione të ndryshme, por që i dyshuari i dytë, Haziri, ende nuk është hasur.
Me të përfunduar aksioni, Ajeti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.