Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht për arrestimin e dy vëllezërve në Prishtinë, të dyshuar për veprimtari të paligjshme në fushën e bixhozit dhe organizimit të skemave piramidale. Sot, Sinjali sjell detaje të reja nga aksioni i Policisë, që solli para përgjegjësisë dy vëllezërit Mjeku.
Sinjali mëson se, Policia e Kosovës, bazuar në informatat operative, kishte zbuluar se në rrugën “Ahmet Derguti” në Prishtinë, zhvillohej aktivitet i paligjshëm, ku organizoheshin lojëra të fatit në mënyrë të fshehtë.
Për të konfirmuar këtë dhe mbledhë dëshmi, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në mbrëmje, rreth orës 19:30, njësitë e Task-Forcës së Policisë së Kosovës, me mbështetjen e Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe Doganës së Kosovës, ndërhynë në lokacion.
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë hasur dhe sekuestruar 11 aparate të ndryshme të lojërave të fatit: 8 aparate ACT, një aparat Merkur, një aparat Kajot dhe një aparat Apex
Të dy të dyshuarit, Besnik Mjeku, rreth 47-vjeçar dhe Besmir Mjeku, rreth 37-vjeçar, janë shoqëruar për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave, është marrë vendimi nga Prokurori i Shtetit që Besnik Mjeku të ndalohet për 48 orë, ndërsa ndaj të dyve është iniciuar procedura penale për veprën: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Kujtojmë se veprimtaria e lojërave të fatit ka vite që është ndaluar ligjerisht në Kosovë, por asnjëherë realisht, ngase aktivitete të tilla ndodhin çdo ditë.
Hetimet ndaj tyre janë duke vazhduar, ndërkohë që pritet sekuestrimi dhe verifikimi i mjeteve të tjera që janë gjetur në vendngjarje.
Gazeta Sinjali do të sjellë ekskluzivisht të tjera detaje rreth këtij rasti.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!