Një rast i përdorimit dhe posedimit të paautorizuar të armës është zbuluar në Podujevë, pasi dy të rinj dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri dhe më pas e kanë publikuar videon në rrjete sociale, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar më 05.04.2026, rreth orës 17:30, në rrugën “Ali Ajeti”, ku siç mëson Sinjali, përmes informacioneve operative policia ka identifikuar dy persona të dyshuar që kishin përdorur armë zjarri në një zonë pyjore në fshatin Heticë.
Pas ndërhyrjes së policisë, njësitë kanë shkuar në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku me pëlqimin e pronarit dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer kontrolli.
Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit së bashku me një karikator, të cilat janë marrë si prova materiale.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari kryesor në këtë rast është Rion Sfishta, i cili ka pranuar se arma ishte e tij dhe se bashkë me shokun e tij Eron Aliu kishin shtënë disa herë me armë muaj më parë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas procedurave, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!