image Ekskluzive | Shkon në tubimin e LDK-së në Istog, i gjen të katër gomat e veturës të shpuara kur kthehet

Sinjalizime

Ekskluzive | Shkon në tubimin e LDK-së në Istog, i gjen të katër gomat e veturës të shpuara kur kthehet

news image

Një incident i dyshimtë është raportuar gjatë një tubimi elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në fshatin Vrellë të Istogut, ku një qytetar ka gjetur veturën e tij të dëmtuar derisa po merrte pjesë në aktivitetin politik.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 3 qershorit, në intervalin kohor mes orës 20:20 dhe 20:50, në parkingun ku ishin të vendosura automjetet e pjesëmarrësve në tubim.

Sipas informacioneve, pronari i automjetit, M. J., kishte marrë pjesë në tubimin elektoral, ndërsa pas përfundimit të aktivitetit ka konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kishin shpërthyer të katër gomat e veturës me mjet të mprehtë.

Nga ekzaminimet e para rezulton se dëmet janë kufizuar vetëm në goma, ndërsa pjesët e tjera të automjetit nuk janë prekur.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë kryer shikimin e vendit të ngjarjes dhe kanë intervistuar ankuesin lidhur me rrethanat e rastit.

Lidhur me incidentin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Hetuesit po punojnë për identifikimin e personit apo personave që qëndrojnë pas dëmtimit të automjetit dhe për zbardhjen e motiveve të këtij veprimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/