image Ekskluzive | Shkoi në Polici për dokumente, kapet me marihuanë në xhep – procedohet penalisht 34-vjeçari nga Gjilani

Siguri

Ekskluzive | Shkoi në Polici për dokumente, kapet me marihuanë në xhep – procedohet penalisht 34-vjeçari nga Gjilani

news image

Një rast i pazakontë është zbuluar mëngjesin e së enjtes në Stacionin Policor në Gjilan, ku një person përfundoi nën procedurë penale pasi gjatë qëndrimit në objektin e Policisë iu gjet substancë narkotike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rreth orës 09:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Gjilan kanë iniciuar rast për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Sipas informacioneve, Sabit Rashiti ishte paraqitur në sportelet e stacionit policor për të dorëzuar disa dokumente, kur është vërejtur nga një zyrtar policor që merret me realizimin e urdhëresave. Dyshimet e ngritura kanë bërë që ndaj tij të kryhet kontroll trupor.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Testi fushor ka rezultuar pozitiv, ndërsa pesha e substancës së sekuestruar ka qenë rreth 1.3 gram.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet dhe më pas të lirohet në procedurë të rregullt.

Rasti mbetet në trajtim nga organet kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/