Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për shkak të dyshimit të bazuar që secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. Detaje nga dosja e Prokurorisë tashmë janë bërë publike dhe është zbuluar po ashtu se kush janë personat që po akuzohen për korrupsion, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që po akuzohen për këtë rast janë Ilir Baldedaj dhe Shkodran Pulaj – emër i njohur për organet e rendit për shkak të të kaluarës së tij kriminale.
Sipas aktakuzës, Ilir Baldedaj, nga data 3 tetori 2022 deri më 5 janar 2023, në Prizren, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar premtimin për një përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.
Dosja thotë se Baldedaj e ka pranuar se do të ushtrojë ndikim të padrejtë te bashkëshortja e tij, M.P., e cila ka qenë anëtare e Komisionit në konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të datës 3 teotr 2022, për vendin e punës sekretare në njërin prej gjimnazeve dhe në njërën prej shkollave fillore në Komunën e Prizrenit.
Në bazë të këtij konkursi kishte aplikuar E.P.S., ku dyshohet se i kishte dërguar pyetje nga testi me shkrim dhe gjithashtu i ka dhënë informacion për poentimin maksimal prej 100 pikësh, të dhënë nga bashkëshortja e tij M.P, si anëtare e komisionit.
Të gjitha këto dhe të tjera komunikime, rezultuan nga komunikimet që i ka zhvilluar i njëjti me të akuzuarin tjetër, Shkodran Pulaj në aplikacionet e rrjeteve sociale “Viber” dhe “Whats App”.
Pulaj akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë i premton përfitim Baldedajt, në atë mënyrë që ky i fundit të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar dhe Pulaj i premton se do t’ia kryejë një punë këtij të fundit, për ndikimin që do ta bëjë te bashkëshortja e tij.
Ndërsa Baldedaj ia dërgon në telefon Pulajt, kopjen e ftesës me të cilën është ftuar ai si i pandehur lidhur me një çështje penale që zhvillohej pranë Gjykatës Themelore në Prizren.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Pulaj dyshohet edhe për raste tjera, për të cilat Sinjali ka raportuar në vazhdimësi.