image Ekskluzive | Shikimi i një vajze dyshohet se ndezi sherrin në qendër të Prishtinës, 20-vjeçari përfundon i therur me thikë

Ekskluzive

Ekskluzive | Shikimi i një vajze dyshohet se ndezi sherrin në qendër të Prishtinës, 20-vjeçari përfundon i therur me thikë

news image

Një konflikt mes disa të rinjve në qendër të Prishtinës ka përfunduar me therje me thikë dhe hetime për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Arjon Kryeziu, rreth 20-vjeçar, i cili ka përfunduar në QKUK me plagë nga mjet i mprehtë në pjesën e shpinës.

Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur pranë rrugës “2 Korriku”, afër marketit “A2”, ku viktima ndodhej bashkë me dy shokët e tij.

Dëshmitarët kanë deklaruar para hetuesve se konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje me një grup të rinjsh, ndërsa dyshohet se shkak u bë shikimi i një vajze që ndodhej në afërsi.

Sipas tyre, situata eskaloi shpejt dhe disa persona nga grupi kundërshtar nxorën thika, ku njëri prej tyre dyshohet se goditi Arjon Kryeziun në shpinë.

Sinjali mëson se shokët e të riut e kanë dërguar vetë në QKUK, pa e njoftuar fillimisht Policinë apo Emergjencën.

Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes pas mesnate, por nuk kanë arritur të gjejnë gjurmë gjaku apo dëmtime në lokalet përreth. Deri në këtë fazë nuk janë siguruar as pamje filmike që do të ndihmonin në identifikimin e autorëve.

Sipas ekipit mjekësor, viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë, por për shkak të gjendjes shëndetësore ende nuk ka mundur të japë deklaratë.

Me urdhër të Prokurores së Krimeve të Rënda, rasti është cilësuar “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.

Një sherr mes të rinjsh në zemër të Prishtinës përfundoi me thika. Njëri në spital, autorët në arrati dhe Policia në kërkim të tyre.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/